Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur për debatin parlamentar për vlerat e UÇK-së që u bë në raport me situatën e krijuar, ku me shumicë votash u mbështet rezoluta e harmonizuar nga grupet parlamentare të PDK-së, të LDK-së, të AAK-së dhe të Nismës.
Ai në një intervistë për gazetën "Epoka e Re" ka thënë se kjo rezolutë nuk është e vonuar, por do të duhej shumë më herët të ishte bërë një ligj për vlerat e luftës, që do t’i sanksiononte në mënyrë ligjore të drejtat dhe obligimet që i kanë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka theksuar se rezoluta e cila mbron vlerat e luftës së UÇK-së nuk duhet të nënvlerësohet, pasi ajo ka të bëjë me vlerat themelore mbi të cilat qëndron liria jonë. Duke folur rreth debatit që ndodhi në Kuvend për vlerat e luftës së UÇK-së, që rrezikoi të shndërrohet në përplasje fizike mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës, Veseli ka thënë se pamjet në Kuvend gjatë seancave janë të dhimbshme dhe shumë herë jodinjitoze. “Lufta politike e cila mund të bëhet për përfitime elektorale nuk duhet të bartet në ato çaste që na bashkojnë të gjithëve, në këtë rast çështja e vlerave të luftës së UÇK-së dhe në përgjithësi në çështjet që kanë të bëjnë me interesin e vendit tonë.
Është e vërtetë se është duke u krijuar një praktikë jopozitive gjatë seancave parlamentare. Një pjesë e opozitës nuk pajtohet me asgjë dhe vë dilema për të gjitha të arriturat e deritashme në vendin tonë. Kjo praktikë, e nxitur nga një pjesë e opozitës, të cilën po e shihni gjatë seancave, nuk reflekton mençuri politike dhe realisht nuk u shërben interesave të shtetit”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka folur edhe për deklaratën e vet që ka dhënë atë ditë në seancë, pas përplasjes së deputetëve Nuredin Lushtaku dhe Glauk Konjufa, ku tha: “Runu! Ishalla veç s’e vrani veten!”, për të cilën deklaratë Lëvizja Vetëvendosje! u ndie e kërcënuar. “Loja e sulmit si teknikë mbrojtje është e njohur gjatë. Vetëvendosja! po mundohet ta luajë mirë këtë pjesë, por realiteti, i parë nga të gjithë qytetarët e Kosovës, është se unë, me gjithë qenien time, veprimin tim dhe fuqinë time politike e ligjore që e kam si kryetar i Kuvendit të Kosovës, mundohem ta minimizoj hapësirën e konfliktualitetit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Veseli. Ai ka pohuar se do të vazhdojë, me të gjithë autoritetin e tij ligjor, politik e moral, të bëjë përpjekje të evitojë, jo vetëm konfliktin dhe sjelljet turpëruese që mund të kenë pasoja mes deputetëve, por çdo mundësi që nga Kuvendi i Kosovës të dalin lajme të këqija për Kosovën.
Kryeparlamentari Veseli nuk e konsideron inteferim mbi drejtësinë debatin që ndodhi në Kuvend për rastin “Drenica”.