Lajmet e fundit

Festa e 4 korrikut në SHBA ishte më ndryshe se vitin e kaluar.
Tradita e fishekzjarreve të 4 Korrikut në New York u rikthye. Këtë ditë të pavarësisë nuk e shijuan amerikanët një vit më parë, pasi vendi po luftonte pandeminë e COVID 19.
Por, shfaqja me drita shumëngjyrëshe dhe performanca të ndryshme artistike u kthyen në formë të plotë të dielën ku u lejua edhe grumbullimi i njerëzve.
Tani 4 Korriku u pa si një ditë pavarësie e kombit nga virusi, prandaj për këtë arsye festa e fishekzjarreve u organizua në secilin shtet.
Atë e shijoji në Washington edhe presidenti amerikan Joe Biden dhe Zonja e Parë e Amerikës.
Nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë përshëndetën amerikanët dhe kërkuan nga ata të festonin, pasi duruan 16 muaj përçarje dhe izolim në pandemi e cila shkaktoi më shumë se 605,000 vdekje.
Nga këtu Joe Biden tregoi se koronavirusi më nuk e kontrollon jetën e amerikanëve, por shtoi se ai ende nuk është mposhtur.
Ai e shfrytëzoi mundësinë për t’iu bërë thirrje amerikanëve që të vaksinohen kundër COVID-19, duke thënë se kjo është gjëja më patriotike që mund të bëhet për vendin.