Skënder Krasniqi, nënkryetar i deritanishëm Aleancës Kosovare të Biznesit, në Ballë për Ballë ka sqaruar arsyet e largimit të tij dhe disa kolegëve nga ky organizim i bizneseve.
Ai ka thënë se vendimi për largim është marrë për shkak të pamundësisë për të vepruar, në të gjitha sferat, njofton Klan Kosova.
"Arsye e largimit tonë nuk ka qenë dëshira për t’u larguar, por pamundësia që të funksionojmë si bord në AKB".
"Duke e pasur të pamundur që të kemi funksionim normal, ne kemi vendosur të largohemi, duke ju drejtuar kryetarit, kryeministrit dhe zyrtratëve tjerë të lartë të shtetit".
Krasniqi ka thënë se AKB është në kaos total, pasi për shumë gjëra nuk dihet asgjë, përfshirë këtu raportet vjetore, planet vjetore, pagat e të punësuarve në zyrat qëndrore, e të ngjashme.
"Kemi kërkuar raportim financiar, atë të vitit të shkuar, planifikimin për këtë vit. Ne jemi në muajin e tretë të këtij viti dhe asnjë raportim nuk kemi".
"Të gjitha aktivitetet janë të dështuara, ndërkohë që për të gjitha janë marrë para nga institucionet, e ndoshta raportet i kanë dërguar se gjoja i kanë realizuar aktivitetet. Po flasim për rreth 20 aktivitete, tre nga të cilat kanë pasur efekt dhe të tjerat kanë dështuar".
"Ne e dimë që AKB i ka tre të punësuar në zyrtat qëndrore, por nuk i dimë pagat e tyre. Nuk e dimë sa paguhet Agim Shahini, dhe kush vendosë për pagën e tij. Bëhet fjalë për shuma të mëdha".
"Përderisa 15 anëtarë të Bordit nuk kanë njohuri, atëherë ne nuk mund ta dimë ku kanë shkuar ato para".
"As Statutin nuk e kemi pasur në dispozicion në Kuvendin e kaluar. Na është thënë që nga viti 2002 nuk është freksuar Statuti i AKB-së".
"Pastaj, kemi kërkuar të dorëzohet numri i anëtarëve të AKB-së, ndërkohë që ne nuk e kemi asnjë të dhënë, sa anëtarë ka dhe kush janë ata".
Sipas tij në një nga panairet e mbajtura çmimi i kërkuar nga AKB ka qenë më i lartë se ai i kërkuar nga organizatori, njofton Klan Kosova.
"Në panairin e organizuar në Antalya, çmimi nga sa e kemi parë ka qenë për 4 euro më shtrenjtë sesa e ka kërkuar organizatori. Ne nuk kemi ide se si shpenzohet buxheti i AKB-së".
Lidhur me pretendimet e kryetarit të AKB-së Agim Shahini për inicimin e një procesi shkarkimi të tij dhe kolegëve, Krasniqi ka thënë se ato spekulime kanë nisur pas dorëheqjes së tyre.
"“Zbulimet e Shahinit” për kinse shkarkimin tonë janë pas vendimit tonë për t’u larguar".
klankosova.tv