Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji ka bërë sonte një krahasim interesant ndërmjet kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinajt dhe Krishtit.
“Se si drejtësia është e padrejtë e ka provuar kryeministri. Po se si e drejta është më e mirë se drejtësia, e ka provuar Krishti”, tha ai në shugurimi i Kishës së re “Shën Ndou” në Pejë, shkruan Kosova Press.
“Ne kemi si popull çfarë t’i kushtojmë Zotit. Ne si popull mund t’i kushtojmë Zotit 300 vjet gjak, martir, vuajtje, persekutime të Perandorisë Romake. Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 500 vjet vuajtje, sakrificë, gjak, persekutim të Perandorisë Otomane”.
“Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 100 vjet vuajtje, sakrificë, martirizim të Mbretërisë serbe, ose kroate e sllovene, e më vonë gjithë ajo Jugosllavi. Po ne kemi edhe gabimin tonë, mëkatin tonë, kemi edhe lëshimet tona, që duhet t’ia kushtojmë Zotit”.
“Sepse po nuk ia kushtuam Zotit gjithë sakrificën e popullit, ne nuk mund t’i kërkojmë atij ndihmë, përkrahje, mbështetje për të ardhmen tonë... E drejta vërtet mundet me qenë e padrejtë, por drejtësia është gjithmonë ajo që jep shpërblimin, e sjell paqen, e sjell trajtimin”.
klankosova.tv