Lajmet e fundit
Mesfushori kroat ka shkëlqyer në ndeshjet në të cilat ka qenë titullar, duke i dhënë balans mesfushës së Real Madridit.

Athletic, Malmo, Levante, Shakhtar dhe Eibar janë pesë skuadrat kundërshtare ndaj të cilave Mateo Kovaçiq ka qenë titullar këtë edicion.
Në këto pesë përballje Rafa Benitezi e ka zgjedhur të riun për të luajtur nga fillimi.
Prezenca e ish-lojtarit të Milanit në fushë i ka dhënë balans mesfushës dhe nuk ka lejuar që skuadra të ketë mospërshtatje kur ka kaluar nga sulmi në mbrojtje.
Në një nga këto përballje, në San Mames, Real Madridi pati paraqitjen më të mirë të këtij edicioni.
Atë ditë Kovaçiq ishte titullar përkrah bashkëkombasit të tij Modriq, Kroosit dhe Iscos. Katër mesfushorët me në sulm Benzeman dhe Cristianon shkatërruan kundërshtarin.
Kovaçiq qëndroi gjashtë ndeshje në bankë pas një lëndimi të marrë në përballjen e Los Blancos ndaj PSG-së.
Pasi misteri i zhdukjes nga formacioni titullar u zgjidh, Kovaçiq ka luajtur në dy ndeshjet e fundit të Realit. Ndaj Shakhtarit ai luajti krah Modriqit, Casemiros dhe Iscos, në mesfushë.
Në secilën ndeshje që Kovaçiq ka qenë titullar, Benitez ka luajtur me katër mesfushorë. Në këto përballje ai nuk luajti me tre sulmues, por me një formacion më të balancuar.