Lajmet e fundit

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka mohuar faktin që Tirana dhe Athina zyrtare, të jenë duke bashkëpunuar, për të zgjidhur mes tyre çështjen çame.
Ai ka thënë se nuk është e vërtetë që Greqia është duke negociuar me Shqipërinë, për çështjen çame. Sipas tij, çështja në fjalë, nuk ekziston për shtetin grek.
“Shteti grek nuk është duke negociuar me Shqipërinë, lidhur me çështjen çame. Me homologun shqiptar, Ditmir Bushati jemi duke folur disa çështje tepër të rëndësishme, që kanë të bëjnë me shtetin grek dhe atë shqiptar. Të gjitha çështjet janë nën ombrellën e BE-së dhe bëhen për të afruar të dyja vendet drejt Bashkimit Evropian.
Çështja çame nuk është e negociueshme nga shteti grek”, ka thënë numri një i diplomacisë greke për një radio helene, shkruan “Ekathimerini”.
Madje, diplomati i parë i Athinës i ka dalë “kundër” edhe komisionerit të Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, duke thënë se çështja çame, nuk ekziston për Greqinë, shkruan gazeta Shekulli.
“Është e vërtetë që i kam dërguar letër ministrit shqiptar të Jashtëm, Ditmir Bushatit, por në të nuk përfshihet çështja çame, në bisedime dypalëshe.
Nikos Kotzias e ka vazhduar teorinë greke, sipas së cilës çamët janë larguar, për shkak se kanë bashkëpunuar me pushtuesin.
“Komuniteti çam në Shqipëri vazhdon të thotë se janë dëbuar nga shteti grek. Ne i kemi hedhur poshtë pretendimet e tyre, duke thënë se kanë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve”, përmbylli ai.