Lajmet e fundit
Afaristët konsiderojnë se prodhimet “ Made in Kosova” paragjykohen nga konsumatorët vendorë.

Sipas afaristëve të kompanive prodhuese, në Kosovë ka kapacitete prodhuese, ka cilësi të produkteve, por nuk ka mbështetje nga qeveria.
Por, mungesa e stimujve fiskal, furnizimi jo stabil me energji elektrike dhe çmimi i lartë i saj, kamatat e larta për kredi dhe marrëveshjet e nënshkruara më vendet e ndryshme të Evropës janë disa pengesat në zhvillimin e aftësive konkurruese të kompanive prodhuese në Kosovë.
Madje, afaristët konsiderojnë se prodhimet “ Made in Kosova” paragjykohen nga konsumatorët vendorë.
Megjithatë, ky sektor edhe nga zyrtarë të institucioneve, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të prodhuesve vlerësohet i rëndësishëm për krijimin e vendeve të reja të punës, edhe në aspektin e përmirësimit të bilancit tregtar që është i disfavorshëm për Kosovën.
Problemet e shumta në këtë sektor, kanë bërë që Kosova të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në prill të këtij viti, importi i mallrave ka kaluar në mbi 223 milionë euro, kurse eksporti mbi 27 milionë euro.
Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë vazhdimisht pohojnë përpjekjet për përmirësim të industrisë prodhuese, shkruan Radio Europa e Lirë
Madje, në programin qeverisës, thuhet se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të bazohen në iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur, si forcë kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik.
Në kuadër të përmirësimit të politikave fiskale përmendet edhe përshkallëzimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, ulja e pragut të TVSH-së dhe pushimet nga taksat./Radio Europa e Lirë.