Lajmet e fundit
Një lajm i mrekullueshëm për Kosovën vjen nga Houston i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nxënësit e gjimnazit “Hasan Nahi” të cilët përfaqësuan Kosovën në Olimpiadën Ndërkombëtare “I SWEEEP-2015”, në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme.

Katër shkencëtarët e rinj kosovarë që kanë marrë dy medalje argjendi (çmimi i dytë) në Huston janë: : Blerim Jashari, Besfort Hashani, Mirsad Zejnullahu dhe Enes Thaçi.
Ata i fituan dy medaljet e argjendit me projektet shkencore “Pastrimi i ujërave të ndotura nga metalet e rënda dhe bakteret me anë të membranave” dhe “Prodhimi i një plehu natyral nga përzierja e kërcellit të lulediellit të djegur me boçat e pishës”.
Projektet e nxënësv të Gjimnazit “Hasan Nahi” në etapën e parë arritën të jenë finalistë me projektet e tyre. Ishin 2.305 projekte shkencore prej të cilave u zgjodhën 393 projekte finaliste.
Me 68 shtete nga gjithë bota dhe mbi 40 shtete nga SHBA-të të cilat garuan në finale, gjimnazistët Kosovarë arritën të konkurrojnë me botën e të marrin dy medalje argjendi.
Pavarësisht moshës fare të re, ata kanë shkëlqyer duke lënë të habitur jurinë me aftësitë dhe profesionalizmin e treguar në përgatitjen dhe zhvillimin e projektit.
Suksesi në Gjimnazin “Hasan Nahi” po kthehet në traditë. Vitin e kaluar nxënësit e këtij Gjimnazi u kthyen nga SHBA me medalje bronzi, ndërsa këtë vit fituan dy medalje argjendi.
Ky është dhe fryt i punës së madhe të bërë nga arsimtarët dhe nxënësit, të cilët punuan rreth pesë muaj në laboratorët e shkollës dhe laboratorin e Katedrës Kimi-Fizikë të Universitetit të Prishtinës.