Lajmet e fundit

Lidhur me arrestimin e ish-policit Spahiu, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se Gjykata e Lartë e Suboticës ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera ndaj të njëjtit.
Nga MPJ thanë se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po vazhdojnë përpjekjet intensive për trajtimin e drejtë dhe adresimin institucional të rastit të arrestimit të Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe.
Ndërkaq, bashkëshortja e tij Arjeta Spahiu, së fundmi ka bërë thirrje publike për ndihmë financiare. Ajo kërkon mbështetje për përballimin e shpenzimeve gjyqësore, pasi sipas, saj familja për muaj të tërë është përballur me një situatë të rëndë e të kushtueshme dhe se rritja e shpenzimeve i ka çuar në pikën ku nuk mund t’ia dalin më.
Mirëpo, Serbia nuk është ndalur me kaq.
Së fundmi, më 5 gusht, autoritetet serbe arrestuan një tjetër shtetas të Republikës së Kosovës, Behar Preniqin në pikën kufitare Bajakovo, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.
Arrestimi i tij u bë nën pretendimin se ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë nga familjarët e tij, të cilët theksojnë se gjatë kohës së luftës Preniqi ka qenë fëmijë.
Sipas familjes, ai asnjëherë nuk ka pasur probleme me ligjin dhe nuk është përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm.
Pos arrestimeve, Serbia sivjet pati ndaluar edhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Gramos Agushollin, në pikën kufitare të Merdarës, ndërsa i njëjti ishte transit drejt Sllovenisë. I njëjti pasi u ndalua u pati liruar, dhe kjo u bë e ditur përmes një postimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. “MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”. Për shkak të rasteve të përsëritura të ndalimeve dhe arrestimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati shprehur shqetësimin përmes një reagimi në rrjete sociale. Në reagim, MPJD u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikonin të udhëtonin drejt vendlindjes, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë.Po ashtu, ministria i inkurajonte qytetarët që të përdornin rrugë dhe pika alternative kufitare për udhëtimin e tyre, me qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm./Klankosova.tv