Lajmet e fundit

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të enjten është zhvilluar takimi i Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike, ku është thënë se qytetarët e Kosovës, kanë shumë pak njohuri lidhur me rreziqet kibernetike që u kanosen.
Këtë deklaratë e ka thënë Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, i cili ka deklaruar se as qytetarët e as institucionet publike, nuk kanë njohuri të mjaftueshme lidhur me sigurinë kibernetike.
“Zhvillimet teknologjike e bëjnë të domosdoshme miratimin e ligjeve, siç është ai i Kodit Penal dhe ai i Krimit Kibernetik. Të gjitha institucionet publike, si dhe ato private, duhet përfundimisht ta kuptojnë më mirë rëndësinë e sigurisë kibernetike, duke hartuar plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike. Parandalimi është lufta më e suksesshme kundër krimit kibernetik”, ka thënë Mustafa.
Kurse, nga ana e tyre të gjithë anëtarët e këshillit me kontributin e tyre gjatë këtij takimi konfirmuan gatishmërinë e tyre maksimale dhe përmbushjen e objektivave të parapara nga Strategjia për Siguri Kibernetike.