Lajmet e fundit
Gjatë muajve të fundit shumë nga qytetarët e Kosovës janë larguar nga vendi drejt shteteve të BE-së, me dëshirën për të siguruar një jetë më të mirë. Megjithatë, edhe Kosova pret azilkërkues, por të njëjtit vendin tonë e shohin veçse si një vend transit për në shtetet tjera më të zhvilluara.

Habibe Zeqiri, Udhëheqëse e Divizionit të Azilit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë për KosovaPress se që nga janari i këtij viti e gjerë më tani, janë bërë 32 kërkesa për azil. Sipas saj numri më i madh i tyre është nga Siria, më pas nga Algjeria, për të vazhduar me të regjistruar nga Iraku dhe shtetet e tjera.
“Realisht Kosova është vend transit i tyre, ndoshta për një kohë shumë të shkurtër ata edhe e lëshojnë qendrën për azil, ku janë të vendosur. Brenda statistikave që ne i kemi nxjerr prej 7 deri në 10 ditë është mesatarja kur ata veçse e lëshojnë Kosovën, por ka raste edhe kur brenda dy apo tri ditësh largohen nga Kosova. Pra, Kosovën kryesisht e përdorin si vend transit Kosovën”, ka thënë ajo.
Zeqiri sqaron se azilkërkuesit që vinë në Kosovë strehohen në qendrën për azil që gjendet në fshatin Magurë, e cila i plotëson kushtet sipas standardeve evropiane.
Ajo ka bërë me dije se azilkërkuesit janë nën mbikëqyrje dhe qendra për azil administrohet nga MPB-ja.
Ndërsa, Fitim Zariqi, Udhëheqës i Qendrës për Azil, thotë se një person mund të parashtrojë kërkesë për azil në një pikë kufitare, në ndonjë stacion policor brenda territorit të Kosovës apo edhe në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion, dhe varësisht se ku ka kërkuar azil, atij i mbushet formulari inicial.