Lajmet e fundit

Të drejtat e njeriut në Kosovë vazhdojnë të shkelen në të gjitha fushat, ndërsa shteti nuk po arrin t’u krijojë qytetarëve një jetë më të dinjitetshme.
Madje, sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Republika e Kosovës ka dështuar në fushën e të drejtave të njeriut.
Kosova në raportet e KMDLNJ-së gjatë vitit 2015 rezulton se është vendi që më së paku i kushton rëndësi respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Këto të drejta qytetarit kosovar i shkelen edhe nga bashkësia ndërkombëtare, që e ka izoluar nga lëvizja e lirë.
Në intervistën dhënë për “Zërin” të mërkurën në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, kreu i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se Kosova ka infrastrukturë ligjore për të respektuar të drejtat e njeriut, mirëpo ligjet nuk po zbatohen, të drejtat po shkelen dhe qytetari kosovar po përballet me krizë të rëndë sociale.
“Në shtetet e zhvilluara ku ka një sundim të ligjit dhe një demokraci të zhvilluar të drejtat e njeriut kanë arritur standardet më të larta, ndërsa në Kosovë mund të flasim vetëm për standarde minimale sepse edhe nga konteksti ekonomiko-social, edhe nga fakti që përbëhet Kosova si një shtet i ri, por i brishtë janë përcaktuese për kualitetin e së drejtës”, tha ai.