Lajmet e fundit

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO), “Fuqizimi i rrugës për pajtim dhe bashkëpunim rajonal. Debati për të ardhmen evropiane të të rinjve kosovarë”
Në konferencën e cila u mbajt në Prishtinë, ai foli për bashkëpunimin e deritashëm dhe i falënderoi drejtuesit e RYCO-s dhe të pranishmit për organizimin e konferencës si dhe për vazhdimin e realizimit të objektivave në të mirë të rinisë.
Këtë vit, kryesimin e Bordit Drejtues të RYCO-s do ta ketë Kosova dhe ministri e konsideroi këtë si një privilegj dhe një nxitje për të punuar edhe më shumë për rininë.
“Në momentin që po flasim RYCO ndodhet në një pozicion shumë më të favorshëm krahasuar me vitin e kaluar; me një strukturë të konsoliduar dhe me objektiva të qarta strategjike se ku e sheh veten në të ardhmen”, vlerësoi ministri, duke shtuar se themelimi i RYCO-s është një mundësi e mirë e shkëmbimeve rinore rajonale e cila duhet të shfrytëzohet nga të rinjtë.
“Në asnjë rrethanë, përpjekjet e deritanishme kryesisht të bëra nga organizata jo qeveritare apo iniciativa të tjera për të mbështetur bashkëpunimin rajonal nuk janë më pak të rëndësishme. Përkundrazi, janë pikërisht ato iniciativa te cilat kanë vënë gur themelet e RYCO-s. Por natyra unike e përbërjes së RYCO-s në gjitha strukturat e saj e bën atë një institucion gjithëpërfshirës dhe me vizion të qartë për fuqizimin e bashkëpunimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor” u shpreh ministri Gashi.
RYCO është mekanizëm i pavarur institucional i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal në fushën e rinisë.