Lajmet e fundit

Kosova sot iu bashkua Ditës ndërkombëtare vjetore për shkatërrimin e armëve të vogla. Me mbështetjen e Zyrës së Jashtme Gjermane dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, në këtë ngjarje rajonale ka shkatërruar mbi 2382 armë të vogla dhe të lehta (AVL), përkatësisht 888 armë të shkurtra dhe 1494 armë të gjata të zjarrit si dhe mijëra pjesë të tyre.
Në ceremoninë e shkatërrimit të armëve morën pjesë: zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, zëvendës përfaqësuesja Rezidente e UNDP, Alessandra Roccasalvo, përfaqësuesja nga Ambasada Gjermane në Kosovë, Henriette Kötter dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.
Me kwtw rast, Hoxha tha se Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe -Agjencioni i Forenzikes janë të përkushtuara që të ngritin kapacitetet në zgjidhjen e krimeve me armë.
Ai shtoi se kapacitetet janë ngritur në disa fusha si shenjim dhe shenjëzim, menaxhim të stoqeve dhe mbajtjen e evidencës, si dhe investigimin e krimeve me armë në përgjithësi.
Ngjarja e shkatërrimit të armëve do të përdoret edhe për lansimin e fushatës “Festo me zemër, dhe jo me armë” për zvogëlimin/parandalimin e zjarrit festiv, që është një bashkëpunim me UNDP SEESAC e që mbështetet nga Bashkimi Evropian. Armët e shënjuara për shkatërrim janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë punës së tyre për hetimin e krimeve, transmeton Klan Kosova.