Lajmet e fundit

Kosova do të shënojë sot Ditën e Evropës me një numër aktivitete edukative dhe kulturore.
Si pjesë e festimeve të Ditës së Evropës, BE-ja në Kosovë do të japë për herë të dytë çmimin e vet “Evropian i vitit”, për të vlerësuar një individ/institucion për promovimin e idesë evropiane në Kosovë.
Edhe Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në partneritet me Muzeun Kombëtar të Kosovës është duke organizuar një aktivitet mobil për të rinjtë me rastin e Ditës së Evropës, me 9 Maj 2017.
Autobusi i BE-së me lojëra interaktive dhe ekspozitë, të mësuarit përmes Lojës, do t’i përfshijë fëmijët në Prizren, Graçanicë dhe Prishtinë, dhe do të ofrojë lojëra zbavitëse grupore dhe sfida argëtuese, dhe në të njëjtën kohë do të ofrojë informata lidhur me BE-në.
Ndërkaq, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren - Fakulteti Juridik në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Kosovës organizon konferencë me temë “Sa i sigurt është Bashkimi Evropian në rrugëtimin e tij”.
Kjo konferencë organizohet për nderë të Ditës së Evropës “9 Majit”.
Pjesëmarrës në konferencë do të jenë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Drejtësisë dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë, transmeton Klan Kosova.