04.06.2015 · përditësuar para 4076 dite1 min lexim
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka pritur sot gjeneral John Allen, i Dërguar Special Presidencial në Koalicionin Global Kundër ISIS-it ku bënë pjesë edhe Kosova.
Jahjaga e njoftoi gjeneralin Allen me veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e sigurisë për të parandaluar dhe për t’u përballur me kërcënimin terrorist global që paraqet ISIS-i dhe grupet tjera terroriste të lidhura me të, përfshirë masat e sigurisë dhe ato legjislative të vendosura për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste në Kosovë.
E para e shtetit theksoi se veprimet e hershme të institucioneve të Kosovës e kanë shndërruar vendin në shembull për qasjen ndaj këtij fenomeni dhe sfide të sigurisë.
Jahjaga shprehu vendosmërinë dhe nënvizoi përpjekjet konkrete të institucioneve të Kosovës që vendi ynë asnjëherë të mos bëhet strehë e grupeve terroriste apo burim i ekstremizmit.
Jahjaga po ashtu u përkushtua që institucionet e Kosovës të punojnë intensivisht në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga aktivitete të ndryshme të koalicionit global kundër ISIS-it që ndërlidhen me procesin e parandalimit dhe rehabilitimit.
Nga ana tjetër, Allen vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në koalicionin global në luftën kundër ISIS-it dhe pjesëmarrjen e saj në Grupin Punues të Koalicionit për shpërndarjen e mesazheve të kundërta.
Gjenerali Allen dhe Presidentja e Kosovës u pajtuan rreth rëndësisë së shkëmbimit të të dhënave dhe të informacioneve për të ndihmuar në ndalimin e valës së luftëtarëve të huaj.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
SZ
SHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.