Lajmet e fundit

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara filluan punëtorinë treditore "STRESAVIORA", ku po diskutohet për fuqizimin e qëndrueshmërisë kundër radikalizmit të dhunshëm.
Në këtë punëtori morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, Charles De Winter nga Policia Federale e Belgjikës dhe Noel Klima nga Shërbimi Publik Federal i Punëve të Brendshme të Belgjikës.
Me këtë rast, Hyseni, tha se ministria që e drejton po luan rol të rëndësishëm, madje ka marrë rol prijës në luftimin, parandalimin e radikalizmit të shoqërisë së kosovare, me synim parësor, ndalimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmin me premisa dhune, që në faza të caktuara të zhvillimit shndërrohet në veprime të dhunshme që marrin format e akteve makabre terroriste.
“Ndërkohë na del si detyrim esencial i shoqërive të të gjitha shtresave të organizimeve sociale, politike që të bëjmë më shumë në parandalimin e radikalizmit të komunitetit tonë”, tha ministri Hyseni.
Kjo punëtori synon që të fuqizojë qëndrueshmërinë karshi radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, është organizuar në dy sesione, sesioni i parë i destinohet përfaqësuesve të institucioneve qendrore, ndërsa sesioni tjetër i është destinuar nivelit lokal. Kjo punëtori do të zgjasë tre ditë, transmeton Klan Kosova.