Kështu tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica gjatë një konference për media.
Sipas tij, bazuar në marrëveshjen e MSA-së, vendi duhet të krijojë një sistem pensional të ri, sipas tij ky aktuali nuk është i mirëfilltë.
“Nga sot do ta lëshojmë në konsultime publike një koncept dokument që rregullon fushën e pensioneve dhe beneficioneve në Kosovë. Është një angazhim i ministrisë, ky koncept dokument do të rregullojë disa fusha pensionale”, tha Reçica.
Ai shtoi se kjo është reforma më e madhe që ka ndërmarrë qeveria dhe se do të jetë një projektligj unik që përbëhet nga katër shtylla.
“Sistemi i ri pensional do të përbëhet nga pensioni i pleqërisë, i atyre që kanë kontribuar gjatë viteve ‘99, pensionin familjar para viteve ‘99, pensionin invalidor para vitit ‘99 , pensioni për aftësi të kufizuara, pensioni i kategorive të dala nga lufta, pensioni TMK”, deklaroi ai, duke shtuar se koncept-dokumenti do të jetë i hapur për diskutim deri më 3 dhjetor.





