Lajmet e fundit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, ka vlerësuar se vizita e parë zyrtare e tij në Greqi ka qenë e suksesshme, pasi ka pasur për qëllim avancimin e raporteve në mes të dyja vendeve.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se pas kësaj vizite Kosova pret lajme pozitive nga Greqia. “Edhe Greqia dhe vendet e tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë tonë janë të vetëdijshme se Kosova pret vendimin për ta njohur shtetësinë e saj. Por në këtë vizitë nuk ka qenë esenca aty, mirëpo në mënyrë indirekte disa gjëra janë të vetëkuptueshme".
"Gjatë kësaj vizite unë i kam thënë homologut tim grek, se presim lajme të mira nga Greqia. Situatat shpeshherë janë komplekse dhe janë shumë faktorë në marrëdhëniet ndërkombëtare, mirëpo mendoj se ky gjest i Greqisë kësaj here ka qenë pozitiv. Fakti që ne takohemi në nivelin më të lartë është shumë domethënës. Prandaj ishte një vizitë shumë e suksesshme, e cila ka për qëllim avancimin e raporteve në mes të dy shteteve”, ka deklaruar Murtezaj.
Ai ka thënë se diplomacia e Kosovës është duke punuar që pesëshja e BE-së ta njohë sa më shpejt Kosovën.