Lajmet e fundit

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka qëndruar sot shkurt në Shkup për të marrë pjesë në konferencën ministrore të Iniciativës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë.
Hyseni i është drejtuar kësaj konference me një fjalë rasti, kur edhe zyrtarisht Kosova është pranuar anëtare e plotë, me të drejta të barabarta në këtë iniciativë.
Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndër-fqinjësor, ministri i brendshëm tha se Kosova është fuqimisht e përkushtuar për bashkëpunim përmbajtjesor me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, me qëllim të adresimit të dukurive që janë shqetësim për gjithë rajonin.
Ai ka shfrytëzuar këtë rast që të falënderojë të gjitha vendet që kanë përkrahur pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në këtë iniciativë dhe është zotuar që Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë përkatëse do të japin kontributin e plotë në këtë nismë rajonale.