Kombëtarja e Kosovës në Hendboll, në konkurrencë të femrave, ka mësuar të enjten mbrëma kundërshtarët e fazës së dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2026.
Në shortin e tërhequr në Cluj Napoca të Rumanisë është përcaktuar që Kombëtarja jonë të jetë në Grupin 1 së bashku me Francën, Kroacinë dhe Finlandën.
Federata Kosovare e Hendbollit tha se grupi është shumë sfidues, ndërsa shtoi se synim i Kombëtares sonë do të jetë kualifikimi në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Poloni, Rumani, Çeki, Sllovaki dhe Turqi.
Evropiani mbahet prej 3 deri më 20 dhjetor, 2026.
Vlen të theksohet se Franca dhe Kroacia janë dy prej ekipeve më me përvojë në këtë garë.
Këto dy skuadra janë përballur për herë të fundit në një kampionat evropian në gjysmëfinalen e vitit 2020, me Francën që u stolis në fund me medaljen e argjendtë dhe Kroacia me të bronztën.
Më 2024, Franca u rendit e katërta.
Pos pesë vendeve nikoqire, direkt në Evropian kualifikohen edhe tri Kombëtaret më të suksesshme nga kampionati i kaluar kontinental: Norvegjia, Danimarka dhe Hungaria.
Në fazën e dytë kualifikuese janë gjithsej 24 ekipe kombëtare. Do të garohet në gjashtë grupe me nga katër kombëtare. Dy ndeshjet e para janë prej 15 deri më 19 tetor të këtij viti. Xhiroja e tretë dhe e katërt janë në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa dy xhirot e fundit në prill 2026.
Dy të parët e secilit grup kualifikohen në Euro 2026. Biletën e sigurojnë edhe katër prej gjashtë kombëtareve më të mira të pozitës së tretë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.