Lajmet e fundit

Për shumë dekada u prit një festë e tillë.Dhe momenti i kremtes kulmoi kur në Kuvendin e Kosovës, në orën 15: 39, të dielën e 17 shkurtit 2008, u lexua Deklarata e Pavarësisë,njofton Klan Kosova.
Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur. Emocion, gëzim e lot pati tek secili shqiptar.Në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike.
Krahas fishekzjarrëve, vinin njohjet nga anembanë bota.Mes tyre ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Kanadaja e Japonia.
Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 111 shtete, 23 nga Bashkimi Evropian.
Menjëherë pas aktit të shpalljes u arrit marrëveshja që Pavarësia e Kosovës të mbikëqyrej nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar. Nën drejtimin e Pieter Feith, ky mision u vendos në Kosovë deri më 10 shtator të 2012-ës.
Paraprakisht, më 22 korrik të 2010-ës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i kësaj Gjykate, Hiasashi Ovada, tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Paralelisht me GJND-në, në shtetin e ri u vendos edhe misioni ndërkombëtar për sundimin e ligjit EULEX, i cili është aktiv edhe aktualisht, por me mandat të ristrukturuar.
Ndërkohë, shteti i Kosovës u sfidua nga faktori ndërkombëtar për dyshimin se disa nga prijësit e UÇK-së kishin kryer krime lufte. Bile, senatori zviceran Dick Marty, në një raport të miratuar nga Këshilli i Europës në janar 2011, përmendi edhe kryeministrin Hashim Thaçin si të dyshuar për përfshirje në këto vepra.
Pasi u formua një Task forcë speciale për hetimin e pretendimeve të Martit, Kosova pranoi që të formohet edhe Gjykata Speciale. Ky organ selinë do ta ketë në Holandë.
Por, krahas akuzave të rënda dhe dëmtimit të imazhit, Kosova pati sukses duke u anëtarësuar në disa organizata me renome botërore. U bë pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe disa organizmave tjerë.
Edhe pse qytetarët e saj ende nuk mund të lëvizin pa viza nëpër Europë, Kosova nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Europian, duke e firmosur MSA-në, në tetor të 2015-ës.
Por, dështoi që të anëtarësohej në UNESCO, në fund të vitit 2015.Sidoqoftë, sukses pati në sporte. Komiteti Olimpik i Kosovës u bë pjesë e familjes më të madhe të sportit botëror, ndërsa shumë federata u anëtarësuan në ato europiane e botërore.
Edhe në futboll, Kosovës iu lejuan lojërat miqësore nga FIFA,njofton Klan Kosova.E ndeshja e parë e nivelit ndërkombëtar nën mbikëqyrjen e FIFA-s ndodhi më 5 mars të vitit 2014.
Haiti ishte ekipi i parë kundërshtar i Kosovës. Loja qe kryer me rezultat të barabartë 0 me 0.Në aspektin individual, xhudistja Majlinda Kelmendi i solli medaljen e parë të artë Kosovës, kur në Rio de Zhaneiro doli fituese në kampionatin botëror. E medalje të tilla edhe nga garat e tjera ajo nuk i ndali, ku së fundmi në grand-priks të Parisit u stolis me të artën.
E 8 vjet pas pavarësisë, Kosova për herë të parë po përfaqësohet në Oscar. Bile, filmi SHOK është pretendent për këtë çmim në kategorinë e metrazhit të shkurtë.
Në aspektin e politikës së jashtme, Kosova ishte aktive edhe në fushën e diplomacisë. Shteti i ri ka të hapura disa ambasada e konsullata gjithandej globit.
Bisedimet që filluan si teknike, përfunduan në politike. Si pasojë e marrëveshjeve, Kosova në takimet ndërkombëtare e rajonale përfaqësohet me fusnotë.
Dy shtetet kanë arritur që t’i nënshkruajnë disa marrëveshje. Si më e rëndësishmja konsiderohet ajo e 19 prillit të 2013-ës.
Por, marrëveshjet e arritura gjatë vitit të kaluar kanë krijuar debat të ashpër në Kosovë. Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është duke u kundërshtuar fort nga Opozita. Njëjtë si edhe çështja e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Për shkakun e këtyre marrëveshjeve, në Kuvendin e Kosovës është bllokuar puna që nga shtatori, derisa në sallën e legjislativit u hodhën vezë e gaz lotsjellës nga opozita.
Veprimet e bëra nga opozitarët bënë që prokuroria të ngritë akuza ndaj tyre, dhe të arrestohen shumica nga ta.
Reagimet e policisë dhe prokurorisë bënë që nëpër sheshet e Prishtinës të organizohen protesta nga ana e tri partive opozitare. Shumë prej tyre përfunduan me dhunë.
U lënduan protestues e policë.Në disa nga to u thyen edhe ndërtesat qeveritare.Madje, pati tentativë edhe për t’i djegur ato.
Por, protestat e Opozitës, e në veçanti të Lëvizjes Vetëvendosje, ishin të shpeshta që nga shpallja e pavarësisë. Madje, gjatë janarit të 2012-ës u protestua ditë e natë në Merdare dhe në Dheun e Bardhë në Kamenicë. Aktivistët e këtij subjekti politik e kundërshtuan moszbatimin e marrëveshjes për reciprocitet me Serbinë në aspektin e shkëmbimit të mallrave.
Por, të gjithë - Pozitë e Opozitë - i patën dhënë shtytje aksionit të policisë në veriun e Kosovës me 25 korrik të 2011-ës, kur ajo bëri përpjekje për t’i marrë nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë.
Kronikë nga Shkodran Gajraku.