Lajmet e fundit
Kosova është njëri ndër vendet më të ndotura të Ballkanit dhe të Evropës dhe ka 27 vende “të nxehta”, të cilat ndotin ekstremisht ambientin dhe rrezikojnë shëndetin e njeriut.

Kështu u tha në konferencën për ambient të Organizuar nga United Nations Environment Programme (UNEP), në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë, me temën “Sfidat e Ambientit në Ballkan - shkëmbimi i njohurive”, e cila pati për qëllim theksimin e rëndësisë së ambientit të Kosovës, si pjesë e Ballkanit dhe të Evropës dhe sensibilizimin e opinionit publik për ambientin në Kosovës dhe Ballkan.
Ndërkaq, UNEP, e cila është organizata më e madhe për mjedisin, përmes kësaj konferencë ka treguar se është shumë e interesuar që të përmirësojë gjendjen e ambientit në Kosovë.
Pier Carlo Sandei, koordinator i programit të organizatës për Ballkan, tha se ata, si çdo vend tjetër, dëshirojnë të ndihmojnë edhe Kosovën për përmirësimin e ambientit, mirëpo, sipas tij, puna e tyre varet krejt nga kërkesat që bëjnë institucionet vendore.
Sipas sandeit, Ministria e Ambientit e Kosovës ka një listë të gjatë kërkesash të cilat janë shumë të rëndësishme dhe ai premtoi se do të punojnë në drejtim të zgjidhjes së tyre.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se ai është duke kërkuar ndihmë për përmirësimin e kësaj gjendjeje dhe se është shumë i lumtur për përkrahjen që ka fituar.