Durim Hasaj nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka folur për pjesëmarrjen e këtij institucioni në njërin prej panaireve më të mëdha të librit në Evropë, atë të Leipzigut në Gjermani.
“Biblioteka Kombëtare e Kosovës është pjesëmarrëse në Panairin e Leipzigut që nga viti 2019, mandej, për shkak të Covid-it, në vitin 2020, ’21, ‘22, nuk ka marrë pjesë sepse panairi ka qenë i mbyllur, mandej në vitin 2023, 2024 dhe këtë vit, më 2025, që i bie për herën e katërt”, ka thënë Hasaj në Orën e Pasdites në Klan Kosova.
“Pjesëmarrja e Bibliotekës Kombëtare është e rëndësishme sepse Panairi i Lepzigut është njëri prej panaireve më të mëdha në Evropë, mos të themi më i madhi në Evropë”.
“Është shumë e rëndësishme për Bibliotekën Kombëtare sepse përmes këtyre panaireve biblioteka kombëtare prezanton letërsinë e autorëve të shquar nga Kosova duke e promovuar kulturën shqiptare dhe krijimtarinë letrare nga Kosova në një skenë ndërkombëtare”.
Hasaj po ashtu dha detaje se si do të paraqitet biblioteka në këtë edicion për sa u përket titujve dhe autorëve.
“Kjo letërsi me historinë dhe diversitetin e saj të pasur vazhdon të dëshmojë fuqinë e fjalës si një mjet identiteti, kulture dhe frymëkrijuese”.
“Në këtë panair Biblioteka Kombëtare do të prezantojë mbi 100 tituj, do të promovohen autorë të ndryshëm nga Kosova dhe nga diaspora”.
“Aty do t'i kemi edhe dy autorë të cilët do të bëjnë prezantimin e librave të tyre”, përfundoi ai.
https://www.youtube.com/watch?v=_Jea2Nnx1_s&t=1219s
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.