Lajmet e fundit

Kosovën e kanë një nga temat kryesore të këtij takimi.
Por përfundimet që do t'i nxjerrin në fund, nuk janë lajme të mira për Prishtinën.
Anëtarët e Këshillit të Ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian ende nuk dhanë shenjë se kur mund të ketë lëvizje të lirë të Kosovarëve nëpër zonën Shengen.
Ky vlerësim aspak i tillë çfarë pritej, bie ndesh me pritjet e shefit të qeverisë, Isa Mustafës, i cili vetëm pak ditë më parë në përvjetorin e parë të qeverisjes u shfaq optimist.
Optimist për lajmin nga Brukseli ishte shfaqur edhe ministri i punëve të brendshme, Skender Hyseni në një postim të tij në Facebook, vetëm dy ditë më parë, njofton Klan Kosova,.
Ndërsa shefi i diplomacisë, Hashim Thaçi, optimizmin e shfaqi gjatë takimeve që i pati në Strasburg, javën e kaluar.
Por me marrjen e lajmit të pakëndshëm, ky e ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, duke e cilësuar të padrejtë diskriminimin e Kosovës në raport edhe me Ukrainën e Kolumbinë.
Për një njohës të integrimeve evropiane, vendimi i Brukselit lidhet me funksionalizimi i Gjykatës Speciale.
Por nuk janë vetëm drejtuesit e institucioneve kosovare ata që kishin pritur vlerësim pozitiv.
Optimist në emër të Kosovës ishte shfaqur edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, kur në mesin e nëntorit ishte mysafir në Klan Kosovë. Veçse ky kishte apeluar për durim deri në ditën e udhëtimeve të lira.
Kështu me këtë vendim të radhë të Brukselit, Kosova mbetet i vetmi shtet i Evropës pa liri të lëvizjes pa viza në zonën e Shengenit.
Kronikë nga Dafina Jegeni.