Lajmet e fundit

157 shtete të cilat kanë filluar aksionin për pastrimin e tyre do të koordinohen nga Kosova.
Kjo pasi Kosova është zgjedhur për të koordinuar planin e Ditës Botërore të pastrimit.
Këtë e bëri të ditur Luan Hasanaj nga Let’s Do It Kosova në një konferencë për media.
“Kosova është përzgjedhur për ta koordinuar këtë pas suksesit të treguar në aksionin e muajve të kaluara”.
“Këtyre ditëve vetëm kanë filluar me ardh aktivistë nga e gjithë bota po ashtu edhe media. Kemi krijuar një qendër të thirrjeve ku do të prezantojmë gjithçka që do të bëhet në krejt këto shtete të botës”, tha Hasanaj.
Ndërsa Fatmir Matoshi, ministri në detyrë i Mjedisit, tha se është nder i veçantë që fal punës së mijëra vullnetarëve Kosova po koordinon fushatën për pastrimin e botës.
“Nga shteti jone i ri i bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe vullnetarëve që nesër të jemi bashkë për një qëllim dhe një kauzë”, tha Matoshi.
Ndërsa përfaqësuesja ndërkombëtare, Heidi Solba nga Estonia, ka thënë se janë shumë krenarë dhe falënderues që Kosova do të udhëheq Ditën e Pastrimit të Botës.
“Jetojmë në një botë që vazhdimisht ndryshon dhe ne kemi nevojë të ndryshojmë mënyrën e jetesës andaj kemi nevojë të bashkëpunojmë”, ka thënë Solba.