Lajmet e fundit

Zëvendësministri i drejtësisë, Lirak Çelaj është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Zagreb, ku është duke marr pjesë në Konferencën me temën “Trajtimi i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.
Kjo konferencë e organizuar në RACVIAC - Qendra për Bashkëpunim dhe Siguri në bashkëpunim me RCC – Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe OSBE - misioni në Bosnje dhe Hercegovinë ka bërë bashkë në Zagreb përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme nga Evropa Juglindore.
Në këtë konferencë u diskutuan edhe sfidat me të cilat ballafaqohen shtetet e rajonit në luftën kundër terrorizmit dhe u cek se kjo nuk është një lloj i ri i kërcënimit, por një tjetër fytyrë e terrorizmit. Po ashtu u përmend fakti se e vetmja mënyrë për t`u përballuar me terrorizmin është bashkëpunimi më i ngushtë mes shteteve.
Me këtë rast, përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse u dakorduan se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë si një front i bashkuar kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe se nuk mund të ketë justifikim për terrorizëm, dhe se lufta kundër terrorizmit nuk mund të jetë selektive.
Qëndrim të ngjashëm pati edhe Çelaj i cili para të pranishmëve i shpalosi punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë në parandalimin dhe ri-integrimin e luftëtarëve të kthyer nga vendet e luftës, transmeton Klan Kosova.