Lajmet e fundit

Ka filluar faza e parë e një projekti të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë, që ka të bëjë me mjedis, përkatësisht me pastrim të liqenit të Vërmicës.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës së bashku me Green Art Center – Prishtina dhe Let’s do it Kosova, do të nisin punimet për pastrimin dhe parandalimin e ndotjes të mëtejme të liqenit të Vërmicës, i cili ka ndikim të drejtpërdrejt në ndotjen e Lumenjve dhe Zonave tjera në Shqipëri.
Drejtoresha e Green Art Center, Merlina Beu – Mucaj, u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve e në veçanti ndërmarrjeve dhe industrisë që të jenë më pro-aktiv në trajtimin e problemeve konkrete mjedisore.
“Edhe pse gjendja mjedisore në Kosovë aktualisht është shumë e rënduar, aktivizmi qytetar e në veçanti aktivitet e nxënësve në shërbim të mjedisit, na bëjnë të shpresojmë se vitin tjetër kjo ditë të na gjejë me më shumë rezultate pozitive dhe me një mjedis më të pastër”, shkruan në komunikatën e Green Art Center.
Dita ndërkombëtare e mjedisit është caktuar mbi 30 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve, si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.