Lajmet e fundit

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, të mërkurën dhe të enjten kanë zhvilluar një seri vizitash në institucionet qendrore e lokale në Kosovë e Maqesoni, për t’u njohur me sukseset dhe sfidat e qeverisjes lokale.
Përfaqësues nga KLGI ishte Drejtori Ekzekutiv, Besnik Tahiri kurse nga LGiU Drejtori i këtij Instituti, Jonathat Carr-Ëest si dhe Shefi i operacioneve, Andy Johnston.
Drejtuesit e të dy instituteve gjatë qëndrimit në Maqedoni janë takuar me Ministren e Qeverises Lokale maqedone, Shiret Elezi, me të cilën kanë biseduar për problematikat në nivel lokal.
Në këtë takim, përfaqësuesit u njohën me sukseset dhe sfidat që përballet Republika e Maqedonisë në këtë fushë dhe kjo shërbeu si mundësi e mirë për bashkëpunim më të mirë nga të dyja palët për të përmirësuar qeverisjen dhe fuqizimin e nivelit lokal.
Gjiashtu të dy drejtuesit zhvilluan takimin e radhës në Asociacionin e Komunave të Republikës së Maqedonisë të cilat u pritën nga Drejtoreshë Ekzekutive në BNJVL, Dusica Perisic.
Pas kthimit nga Maqedonia ata vizituan Komunën e Hanit të Elezit, ku u pritën nga kreu i kësaj komune Rufki Suma.
Ndërkaq, gjatë ditës së enjte të dy institutet KLGI dhe LGiU vazhduan takimet në institucionet qendrore e lokale në Kosovë. Fillimisht ata vizituan Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ku u takuan me Rozafa Ukimeraj, u.d. Sekretare e Përgjithshme.
Sipas Ukimeraj duhet të bëhen reforma territoriale siç po ndodh me ligjin e Prishtinës në mënyrë që të zhvillohen ide.
Sfida kryesore e funksionalitetit të duhur është lidhur me decentralizimin fiskal.
Po ashtu, gjatë ditës vizitën e kanë vazhduar në Komunën e Prishtinës, ku janë pritur nga kryetari i Komunës, z. Shpend Ahmeti. Kryetari Ahmeti, ka thënë se kryetarët e komunave janë të fuqishëm dhe kanë autoritet si individë, mirëpo qeveritë në nivelin lokal në Kosovë nuk janë më të vërtetë të fuqishme në aspektin e pavarësisë nga niveli qendror. Ai tha se sfida kryesore në kryeqytet tani është Ligji për Prishtinën.
Gjithashtu, takimet vazhduan edhe me dy kryetarët, atë të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, dhe të Komunës së Kamenicës, z. Begzad Sinani.
Gjatë takimit me kryetarin e Gjilanit, z. Lutfi Haziri, u diskutua për reformat e qeverisjes lokale, legjislaturën, transformimin publik dhe decentralizimin.
Duhet theksuar se Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, të enjten nënshkruan memorandum bashkëpunimi për partneritet strategjik. Qëllimi i memorandumit është që Institutet KLGI dhe LGiU në të ardhmen të vazhdojnë dhe thellojnë bashkëpunimin për të përmirësuar qeverisjen dhe fuqizimin e nivelit lokal.