Lajmet e fundit

Kosova ia ka dorëzuar Bashkimit Evropian (BE) raportin për përmbushjen e tetë rekomandimeve të dhëna në raportin e fundit për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian në dhjetor të vitit të kaluar. Kështu Qeveria e Kosovës konsideron se ky raport do të vlerësohet pozitivisht nga institucionet e BE-së dhe do të merret vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërsa anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane dhe njohësit e këtij procesi konsiderojnë se Kosova duhet të lobojë më shumë për t’i bindur vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të mbështetur heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Kjo pasi, sipas tyre, procesi i liberalizimit të vizave përveç aspektit teknik është edhe proces politik, prandaj duhet të punohet për të siguruar mbështetje.
Dorëzimi i këtij raporti është konfirmuar edhe nga Ministria e Integrimeve Evropiane, përmes një komunikate për media, shkruan Zëri.
“Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ia ka dorëzuar sot Bashkimit Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave. Ky input përmban rezultate dhe të arritura konkrete përgjatë tre muajve të fundit, të cilat pritet të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së”, thuhet në komunikatën e kësaj Ministrie.
Më tej bëhet e ditur Qeveria e Kosovës pret që në bazë të zotimit dhe dinamikës së prezantuar nga Komisioni Evropian të realizohet vizita e komisionarit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë për të konfirmuar së bashku zbatimin e rekomandimeve. Kjo do t’i hapë rrugë Komisionit Evropian për t’i propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.