Lajmet e fundit

Ministria e Integrimit Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, organizuan takimin vjetor midis Suedisë dhe Kosovës në kuadër të bashkëpunimit suedez për reforma në Kosovë, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit për reforma gjatë viteve 2014-2020.
Në hapje të takimit, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha theksoi se "qëllimi kryesor i bashkëpunimit për reformën në mes të Kosovës dhe Suedisë është të lehtësojë rrugën tonë drejt integrimit në BE, duke u përqendruar në zhvillimin ekonomik, zhvillimin e sektorit privat, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, mjedisin dhe ndryshimet klimatike".
Ajo theksoi rëndësinë e koordinimit të donatorëve përmes grupeve punuese sektoriale dhe ato nën-sektoriale dhe Forumit të Nivelit të Lartë.
Hoxha tha se "qëllimi ynë strategjik është përforcimi i qasjes së Kosovës në fonde të jashtme, si p.sh. IPA III, për periudhën 2021-2027, dhe po ashtu qëllimi ynë është të bashkojmë të gjithë ndihmën e donatorëve me këtë instrument, në mënyrë që të inkurajojmë bashkëpunimin dhe sinergjinë nëpërmjet ndihmës bilaterale".
Ajo ftoi pjesëmarrësit në takim për të reflektuar mbi progresin e arritur dhe për të shqyrtuar mundësitë për shfrytëzimin e mëtejshëm të ndihmës suedeze në forcimin e rrugës së Kosovës në BE.
Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck-Ahliny theksoi partneritetin e kahmotshëm të Suedisë me Kosovën.
Në mënyrë bilaterale, gjatë vitit të kaluar, fondet suedeze të bashkëpunimit për reformën në Kosovë arritën shumën prej 94.4 milionë krona suedeze - rreth 8.5 milionë euro - duke e bërë Suedinë donatorin e pestë më të madh dypalësh në Kosovë. Për këtë duhet shtuar fonde të konsiderueshme për përfitimin e Kosovës nga fondet e zhvillimit rajonal, garancitë kreditore, nga financimi themelor i sistemit të OKB-së në përgjithësi dhe nga bashkëpunimet tjera institucionale./klankosova.tv/.