Lajmet e fundit

Në ambientet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është zhvilluar takimi i radhës i grupit punues për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, lidhur me mbrojtjen e vlerave natyrore për shpalljen e Malit “Pashtrik” – Vërmicë (lugina e Drinit të Bardhë) - Liqeni i Fierzës” zonë e mbrojtur natyrore.
Me këtë rast, ministri Ferid Agani, iu premtoi të dyja grupeve se do të kenë mbështetjen e tij.
Agani gjatë këtij takimi poashtu i njoftoi të pranishmit për nënshkrimin e një marrëveshjeje me projektin SIDA, një ndër çështjet që do të përkrahet janë edhe projektet ndërkufitare që do të parashihen të jenë me vlera reale si projekte prioritare.
Të dyja palët u pajtuan që të shpejtohen procedurat që edhe pjesa e Malit Pashtrik dhe Liqeni i Fierzës të shpallet zonë e mbrojtur ndërkufitare nga Shteti Shqiptar, të hartohen planet e përbashkëta menaxhuese për zonat ndërkufitare Kosovë –Shqipëri, në mënyrë që të mundësohet aplikimi në fondet ndërkombëtare, transmeton Klan Kosova.