Lajmet e fundit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot në takim një delegacion shtetëror nga Egjipti, udhëhequr nga deputeti i Parlamentit egjiptian, ish-ministër i jashtëm i këtij shteti, Mohamed El Orabi.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës dhe Egjiptit, si dy vende mike, dhe me theks të veçantë, për raportet ndërparlamentare dhe nevojën e shkëmbimit të përvojave.
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti El Orabi theksuan se midis shteteve ka ende shumë hapësira për bashkëpunim, në interes reciprok për të dyja vendet.
Në takim, u bisedua, gjithashtu, edhe për nevojën që sa më shpejt të dy palët të marrin vendimin për hapjen e ambasadave në vendet respektive.
“Marrëdhëniet me Egjiptin kanë qenë historikisht të mira. Nga Egjipti kemi çfarë të mësojmë, sepse nga ky vend ka pasur çfarë të mësojë mbarë njerëzimi”, theksoi Haliti.
Haliti kërkoi nga sh-kryediplomati egjiptian që Kajro zyrtare të vazhdojë të ushtrojë ndikimin e vet tek ato shtete të botës islame të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që sa më shpejt ta bëjnë këtë.
Ish-ministri i jashtëm egjiptian, deputeti Mohamed El Orabi, theksoi se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve të vazhdojnë edhe në të ardhmen, transmeton Klan Kosova.