Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që merret me koordinimin e operimeve të telekomunikacionit në botë, e njohur si Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, apo shkurt me akronimin ITU, sot, e enjte, ia ka alokuar edhe zyrtarisht Kosovës kodin telefonik shtetëror + 383.
Për këtë ka njoftuar ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në një komunikatë për media.
“Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e Telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar Zyra e Kryeministrit, njofton Klan Kosova.
Tahiri, bashkë me ekipin e saj, kanë uruar qytetarët e Kosovës për kodin telefonik, i pari që Kosova ka prejse ekziston si shtet.
Tahiri, në fillim të këtij muaji, pati deklaruar se pas bisedimeve të fundit tri ditore me Serbinë në Bruksel, ishte arritur akordim për këtë çështje.
Me marrjen e kodit të vet telefonik shtetëror, Republika e Kosovës fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit dhe subjektiviteti i saj si shtet në fushën e telekomunikacionit do të njihet nga bashkësia ndërkombëtare përmes kodit të saj telefonik.
Me marrjen e këtij kodi telefonik, pritet të shuhen të gjitha hyrjet e përdorura më parë siç janë; 381, 377, 386.
Ministrja Tahiri kishte thënë edhe se “do të shuhen të gjithë operatorët ilegalë të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë”, njofton Klan Kosova.
Po ashtu, sipas Tahirit, të gjitha thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, do të jenë thirrje ndërkombëtare, deklaratë që u kundërshtua nga pala serbe.
Ajo tha edhe se marrëveshja për kodin telefonik do të ketë efekte pozitive të shumëfishta, si në planin shtetëror, të sovranitetit, ekonomik dhe telekomunikues.
Tash, kur Kosova ka pranuar kodin telefonik besohet se do të ketë edhe përfitime të mëdha financiare.
Sipas analizave do të jenë përfitime milionëshe, marrë parasysh se kostot e larta të shkaktuara nga mungesa e kodit dhe sidomos nevoja e operatorëve që të paguajnë obligime financiare për të marrë në përdorim kodet e huaja, kishte thënë Tahiri.
klankosova.tv