Lajmet e fundit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritshmëri të larta që Kosova të bëhet pjesë e organizatës Partneriteti për Paqe më 2023.
“Sa i përket organizatës Partneriteti për Paqe, nuk është që është ide origjinale e vetëm e jona, por është edhe rekomandim i partnerëve tanë ndërkombëtarë që po ashtu bart sfida sepse si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Partneritetin për Paqe, por edhe në Këshillin e Evropës, kemi shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe secila prej fazave kërkon lobim të jashtëzakonshëm, kërkon shumë punë dhe kërkon shumëfish më tepër punë që u është dashur shteteve fqinjëve në të njëjtën rrugë kur kanë vendosur ta ndjekin”, ka thënë Gërvalla.
Këto deklarata ajo i dha në kuadër të raportimit të saj në Komisionin për Punë të Jashtme, ku u shpreh me optimizëm për vitin që vjen.
“Personalisht, jam shumë optimiste për vitin 2023 dhe Partneritetin për Paqe. Pa dashur të them më shumë fjalë sesa që do të mund t’i mbaja në fund, ne do të punojmë me po kaq përkushtim edhe në këtë sferë sa kemi punuar edhe për anëtarësime të tjera dhe shpresojmë që fundi i vitit 2023 Kosovën ta zërë si anëtare e Partneritetit për Paqe, me qëllim që të jetë edhe më e qartë rruga që Kosova do të ndjek rreth anëtarësimit në NATO”.