Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka biseduar për angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe veprimet konkrete që janë ndërmarrë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit me drejtorin ekzekutiv të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF), me seli në Gjenevë, Khalid Koser.
Veseli potencoi përkushtimin maksimal të institucioneve të vendit për të ruajtur sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit, kundrejt çdo forme të kërcënimit, që mund të manifestohet nëpërmjet agjendave të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, transmeton Klan Kosova.
Duke e falënderuar Koser për mbështetjen financiare të GCERF-së për Kosovën, kreu i Kuvendit vuri në pah edhe njëherë orientimin perëndimor të Kosovës dhe aspiratën e saj për t’u bërë sa më shpejtë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Koser ka vlerësuar lart angazhimin e Kosovës e të institucioneve të saj për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe premtoi se organizata që ai udhëheq do të ndihmojë Kosovën në këtë drejtim.