Kryeministri i Indisë, Narendara Modi, ka vendosur mbyllje kombëtare në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
Këto kufizime kanë hyrë në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale, dhe do të zbatohen për 21 ditë.
“Do të jetë një ndalesë e përgjithshme për dalje nga shtëpitë tuaja”, ka thënë Modi në adresimin e tij në media.
“I gjithë vendi do të jetë në mbyllje, mbyllje totale. Për ta shpëtuar Indinë, për ta shpëtuar secilin qytetar, ty, familjen tënde…secila rrugë, secila lagje do të jetë e mbyllur”.
Kryeministri indian ka paralajmëruar se nëse India nuk i përballon mirë këto 21 ditë, atëherë vendi do të kthehet prapa për 21 vjet.
“Ky është një shtetrrethim. Ne do të duhet ta paguajmë koston ekonomike të kësaj, por kjo është përgjegjësi e të gjithëve”.
Ai ka kërkuar nga njerëzit që të mos bëjnë panik – por, turma të mëdha të njerëzve u panë shumë shpejt në të gjitha shitoret e kryeqytetit Delhi, ashtu si edhe në qytete të tjera.
Gazetarët thonë se akoma nuk është e qartë se si – ose nëse – njerëzit nuk do të lejohen që të dalin nga shtëpitë e tyre për të blerë ushqime dhe produkte të tjera të nevojshme.
Këto masa të reja vijnë pas rritjes së shpejtë të rasteve të reja me Covid-19 ditëve të fundit. Deri tani janë 519 raste të konfirmuara në Indi, derisa janë raportuar edhe 10 vdekje, transmeton Klan Kosova.
India – që ka një popullatë prej 1.3 miliardë banorë – i bashkohet një numri të madh të vendeve që kanë vendosur masa të njëjta.
Gati 400,000 persona janë të prekur me Covid-19 në botë, derisa rreth 17,000 persona kanë ndërruar jetë.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.