Lajmet e fundit

Së fundmi u shënua përvjetori i 75-të i "Holokaustit", gjenocidit ku në kampet naziste në Gjermani u vranë gjashtë milionë hebrenj dhe miliona të tjerë u përndoqën.
Shqiptarët edhe në këtë ngjarje tragjike kanë luajtur një rol të veçantë në mbrojtjen e një numri të madh të hebrenjve.
Për strehimin e tyre në vendin tonë, raportet në mes të popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit flet në një intervistë për klankosova.tv drejtoresha e Institutit për Trashëgimi Kulturo-Historike të Kosovës, Lumnije Haxhijaj.
"Gjurmët e para datojnë që nga periudha Romake në mes të Ilirëve dhe Hebrenjve, mirëpo lidhjet më stabile dhe më të konfirmuara datojnë nga shek. XV, kryesisht nga shpërngulja e hebrenjve nga Spanja në trojet shqiptare. Roli i Kosovës në mbrojtjen e hebrenjve ka qenë rol pozitiv, kryesisht gjatë Luftës së II Botërore në kujdesin për strehimin e tyre, qoftë edhe me kushtin e vënies të jetës në rrezik të familjeve shqiptare ", tha Haxhijaj.
Ajo bën me dije se në Kosovë ishin strehuar dhe mbrojtur mbi 2 mijë hebrenj.
Haxhijaj thekson se ka akoma njerëz me origjinë hebreje që jetojnë në vendin tonë, por që sipas saj numri i saktë i tyre ende nuk dihet.
"Kanë qenë një numër i madh, mbi 2 mijë hebrenj, ndërsa për ata vendor flet fakti i varrezave hebreje në Kosovë. Po ka persona me origjinë hebreje nga e ëma, i ati ose nga ana e gjyshes "- thekson ajo.
Sipas Haxhijajt në Kosovë ka ende objekte që e dëshmojnë ekzistencën e popullit hebre.
Ajo thekson se përkrahja institucionale për realizimin e aktiviteteve të kësaj organizate është shumë e vogël dhe mirëmbajtja e objekteve të kultit nuk bëhet në mënyrën e dëshiruar.
" Janë disa gjurmë të shkatërruara dikur si Sinagoga në Prishtinë, tregu në Prishtinë, objekte banimi në Prizren dhe në Prishtinë, varrezat janë në Prishtinë si në Velani, Arbëri dhe ato më të vjetrat janë të Artanës (Novobërdës) që nga koha e inkuizicionit spanjoll. Me rastin e datave të Holokaustit kujtohen me rastin e përvjetorëve, eventeve tjera që lidhen me këto ngjarje. Përkrahje të vogla simbolike, jo aq sa duhet, gjë që për të dëshiruar. Po ka, por jo në masë të madhe, jo sa duhet më qenë. Pra janë përkujdesje të vogla edhe këtu gjë që lë për të dëshiruar "-shpjegon ajo.
Drejtuesja e ITKHK-së, shton se kultura i afron popujt mes vete, duke ndikuar në thellimin e bashkëpunimit mes vendeve.
"Dihet çdokund në botë se kultura nuk njeh kufij, kështu që çdo aktivitet kulturor në botë në mes dy popujve ndikon pozitivisht, pra edhe në mes të Kosovës e Izraelit çdo aktivitet kulturor ndikon pizitivisht, që të vazhdon bashkëpunimi e të thellohen marrëdhëniet në mes dy popujve, Kosovës e Izraelit ", shton Haxhijaj.
Lumnije Haxhijaj, njofton se së shpejti pritet të ndahet çmimi "Fisnik mes Kombeve", për familjet që kanë strehuar dhe ndihmuar popullin hebre.
"Qeveria Izraelite është e informuar pjesërisht, komuniteti hebre në Kosovë ka 12 vjet që punon intensivisht, me theks të veçantë Bashkësia Hebreje Bet Israel Kosova në krye me z. Ruzhdi Shkodra dhe bashkëpunëtorët e tij, që të gjitha familjet që kanë mbrojtur hebrenjtë që është një numër i madh i tyre të dekorohen me çmimin "Fisnik mes Kombeve".
"Bashkësia Bet Israel Kosova ka vendosur komunikim me hebrenjtë që kanë lindur në Kosovë e jetojnë në Izrael. Komuniteti hebre ka vendos shumë ura me Institutet e Izraelit, posaqërisht me Institutin Yad Vashemit dhe institucionet universitare dhe akademiket. Vlen të theksohet edhe se Ambasadorja e Izraelit në Beograd ka bërë disa vizita në Kosovë dhe ka shtrirë bashkëpunimin me të gjitha institucionet tona ", tha Haxhijaj.
Izraeli është në mesin e shteteve që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
"Kjo pak sa pyetje politike, por do të marr guximin të përgjigjem disi shkurt. Unë mendoj për shkak të kostalacioneve gjeostrategjike dhe gjeopolitike ndërkombëtare ", theksoi ajo.
Instituti për Trashëgimi Kulturo-Historike të Kosovës, do të vazhdojë që edhe në të ardhmen ta pasurojë trashëgimin kulturore, duke sjell edhe projekte të tjera në forcim të marrëdhënieve shqiptaro-izraelite.