Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kundër tre të pandehurve M.B., D.B., dhe ZH.M., për veprat penale, krimi i organizuar, kontrabandimi i mallrave, shmangie nga akciza dhe detyrimet e importit, njofton Klan Kosova.
Sipas aktakuzës “të pandehurit në periudhën kohore prej 22.05.2009 deri më 14.07.2011 me dashje dhe me dijeni, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit”, thuhet nw njoftimin e Prokurorisë.
“Të pandehurit karburantet e naftës të blera në Serbi, i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanive të tyre, të cilat nuk posedonin licencë për importin e karburanteve. Këto karburante transportoheshin nga auto transportuesit, të cilët ishin të regjistruar në Republikën e Serbisë dhe të njëjtat nuk paraqiteshin në terminalin doganor në jug të Mitrovicës, ku kanë qenë të obliguar të zhdoganohen”.
Vlera e mallrave të importuara në mënyrë të kundërligjshme dhe të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë kapin shumën e 3,035,911.36 urove.
klankosova.tv