Lajmet e fundit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si neveritëse thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për ta mbrojtur kishën ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Duke folur në seancën plenare të kuvendit të enjten, Konjufca ka deklaruar se ajo kishë ka karakter politik dhe se ishte ndërtuar që ta pengonte zhvillimin e arsimit në vend.
“Për Serbinë oborri i madh i Universitetit ishte i panevojshëm. Në këtë mënyrë ata vendosën që të ndërtojnë një kishë politike aty. Deklarata e presidentit Hashim Thaçi për mbrojtjen e kishës që e ndërtoi Millosheviqi, është neveritëse dhe e mjerueshme. Ah sikur ta mbronte kështu edhe Veriun e Kosovës, Çakorrin e lapidarin e rrëzuar nga Serbia në Preshevë, sa mirë do t’i kishim punët”, ka thënë Konjufca, raporton Klan Kosova.