Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pranuar “Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën” nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Gjatë takimit me Szunyog, Konjufca vlerësoi bashkëpunimin dypalësh dhe kontributin e Bashkimit Evropian për perspektiven evropiane të Kosovës. Ai po ashtu nënvizoi progresin e theksuar në implementimin e reformave që kontribuojnë në procesin integrues të Kosovës në BE, duke veçuar me këtë rast si shembull për demokracinë në rajon e më gjerë mbajtjen e dy palë zgjedhjeve të lira e demokratike brenda këtij viti.
Shefi i Zyrës së BE-së, ambasadori Szunyog shprehu mirënjohje për frymën bashkëpunuese dhe rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në drejtim të avancimit të legjislacionit, sundimit të ligjit dhe shtyrjes përpara të agjendës së përbashkët evropiane.
Të njëjtin raport e ka pranuar edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, njofton Klankosova.tv.
