Lajmet e fundit

Komuniteti Ashkali i Kosovës, ka shënuar sot ditën e flamurit të këtij komuniteti.
Ndërkaq Kryetari i partisë së ashkalive për Integrim, Etem Arifi, tha se ndonëse Kosova tashmë ka disa vite që është shtet, komuniteti që ai përfaqëson nuk po gëzojnë të njëjtat privilegje sikurse komunitetet të tjera.
Këto komente Arifi i dha në Ora e Fundit në Klan Kosova, duke shtuar se problemi më i madh i tyre edhe në ditët e sotme është papunësia pasi sipas tij komuniteti ashkali po anashkalohet më së shpeshti.
''Festa më e madhe e ditës së flamurit tonë bëhet kryesisht më shumë në Europë''.
''Sipas statistikave të fundit ka rreth 20 mijë ashkali në Kosovë''.
''Ndjej privilegj që jam pjesë e nënshkrimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës''.
''Mund të them që jemi të kënaqur, sepse ashkalitë përfaqësohemi në të gjitha institucionet kosovare por punësimi është problemi më i madh për të gjithë komunitetet në Kosovë. Megjithatë ne si komunitet ashkalish jemi ata që anashkalohemi më shpesh''.
''Komuniteti ashkali nuk i gëzon privilegjet që i gëzojnë komunitetet tjera. Krahasuar me të tjerët, ata kanë të gjitha privilegjet, duke u nisur nga strehimi, arsimimi e të gjitha rastet''.
''Nga 161 familje që janë të kthyera në Kosovë, përfiton vetëm një ashkali për një ndërtim të shtëpisë''.
''Unë nuk mund të them që e ka keqpërdor kartelën, por ai realisht nuk ka qenë i njoftuar mirë se si shfrytëzohet kartela''.
''Edhe unë si deputet në koalicion me LDK-në kemi disa marrëveshje, kemi tentuar të realizojmë marrëveshje por ka prapë ngecje''.
''Kemi një numër jashtëzakonisht të madh që kanë përfunduar studimet, por nuk qëndrojnë keq tek arsimi''.
''Në komunitetin ashkali ka rini të arsimuar, por ata të arsimuar kanë përfunduar fakultetin dhe rrjedhin rrugëve''.
''Gjuha jonë amtare është gjuha shqipe, shkollohemi shqip, sa i përket egjiptasëve nuk kemi dallim aspak por me romët po''.
''Shpesh kemi mosmarrëveshje nëse jemi egjiptian apo ashkali. Unë them plotësisht i bindur që jemi ashkali dhe komuniteti egjiptian janë ashkali. Edhe sipas historianëve, thuhet se asnjëherë në Kosovë nuk kanë ekzistu egjiptas. Kemi fakte në histori të shumta se ne mundohemi t’iu argumentojmë të tjerëve që ne jemi ashkali. Askush nuk më bind mua që unë nuk jam ashkali'', ka përfunduar Arifi, në Ora e Fundit, njofton KlanKosova.tv.