Lajmet e fundit

Komuna e Vitisë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë nënshkruar sot marrëveshjen për hartimin e Planit për Integritet.
Ceremonia është mbajtur në Kuvendin Komunal në Viti ku dokumentin e ka nënshkruar kryetari i Komunës Sokol Haliti si dhe koordinatorja e UNDP-së, Valbona Bogujevci.
Kjo iniciativë është vazhdimësi e aktiviteteve të shumta në luftën kundër korrupsionit në nivel komunal të cilat është duke i implementuar projekti SAEK i cili mbështetet financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Plani i Integritetit paraqet procesin e zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të reja të stafit komunal për të parandaluar, rezistuar dhe zbutur dukuritë korruptive, transmeton Klan Kosova.
Plani i Integritetit është njëra ndër aktivitetet që Komuna e Vitisë do të zhvillojë në bashkëpunim me programin anti-korrupsion të UNDP-së që ka për qëllim të forcojë transparencën, dhe llogaridhënien institucionale.
Komuna e Vitisë është komuna e gjashtë që harton dhe zotohet të zbatojë Planin për Integritet, obligim ligjor nga Strategjia Kundër Korrupsion 2013 – 2017.