Lajmet e fundit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës z. Rexhep Hoti, sot nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, për implementimin e Programit Nacional për Rininë për të gjithë nxënësit e kësaj komune.
Me rastin e nënshkrimin e kësaj marrëveshje Koordinatori Nacional për Rini, Rexhep Hoti, deklaroi se
” Programi Nacional për Rininë është hartuar për secilin nxënës në formë të garës për secilën shkollë të komunës suaj, duke filluar nga niveli fillor, i mesëm i ulët dhe niveli i mesëm i lartë. I jam mirënjohës kryetarit Ilazi, për gatishmërinë për të implementuar Programin në Komunën e Kaçanikut”
Edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut,Besim Ilazi, u shpreh shumë i lumtur për këtë iniciativë.
“Jam i informuar rreth Programit për Rininë dhe sinqerisht jam shumë i lumtur që keni ndërmarrë një iniciativë sikur kjo. Jam i bindur se projektet në kuadër të programit do të jenë shumë të suksesshme andaj ju falënderoj juve sepse ky program na ndihmon edhe neve si komuna”, theksoi Ilazi.
Hoti ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Arsimit,Azem Guri i cili theksoi se
“Ne si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e mbështesim fuqishëm Programin Nacional për Rininë dhe presim që ky program të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë në arsim”, potencoi Guri, shkruan në njoftimin e zyrës së Koordinatorit Nacional për Rini përcjellë Klan Kosova.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programin Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.