Kryeministri Ramush Haradinaj, vizitoi sot Komunën e Junikut, me ç’rast u prit nga kryetari i Komunës, Agron Kuçi me bashkëpunëtorë.
Pas takimit me kryetarin Kuçi, kryeministri i shoqëruar nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësish, Besim Beqaj, zhvilloi një bashkëbisedim me asamblistë dhe qytetarët e kësaj komune.
"Jemi afër përvjetorit të Hakifit, Zahirit, Edmondit dhe është lehtë ta kujtojmë se Juniku i sotëm, Kosova e sotme është falë një rruge të gjatë e të vështirë deri në liri, flijimeve dhe vuajtjeve të mëdha”.
“Jemi afër shënimit të 10-të vjetorit të pavarësisë dhe e dimë që asnjë shtet nuk është lindur dhe rritur lehtë, por me gjithë vështirësitë në të cilat po kalon vendi, po punohet për anëtarësimin e Kosovës në BE, në NATO, dhe fuqizimin e miqësisë me SHBA-në".
Kryeministri përmendi gjendjen në arsim, si prioritet i Qeverisë që drejton.
"Testi PISA është një test ndërkombëtar dhe nëse del i keq na turpëron. Është me interes që drejtorët e shkollave, drejtori i arsimit ta marrë seriozisht këtë”.
Në takim, ai tha se është biseduar edhe për sistemin e shëndetësisë, ofrimin e barnave esenciale, furnizimin me energji, por edhe për projekte tjera me rëndësi, siç janë përfundimi i rrugës për Gjeravicë, objekti i ri i shkollës, transformatori 110 kilovat, ujëmbledhësi për grumbullimin e rezervave të ujit të pijshëm, shtëpinë e kulturës, palestrën e sportit dhe probleme të tjera të kësaj komune.
klankosova.tv