Lajmet e fundit

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Gjilanit Hazir Mustafa, ka thënë gjatë takimit të sotëm të Komitetit për Shërbime Publike, Banim, Mbrojtje dhe Shpëtim se aktualisht janë duke u ballafaquar me zjarre në këtë komunë.
"Vetëm gjatë këtij muaji kanë ndodhur 101 zjarre, ku janë përfshirë 4 shtëpi, 2 automjete, ndërsa shumica e rasteve tjera kanë qenë zjarre fushore" tha ai.
Mustafa ka theksuar se Shërbimi i Zjarrëfikjes qëndron mirë me pajisje, por sipas tij ka mungesë të stafit.
Ndërsa, komiteti për Shërbime Publike gjatë këtij takimi u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më të kujdesshëm sa u përket zjarreve, në këtë kohë kur temperaturat janë të larta dhe favorizojnë përhapjen e flakëve, sepse sipas tyre pos që mund të shkaktojnë dëme të mëdha në pronat private, apo publike, mund të rrezikojnë edhe jetë njerëzish, transmeton Klan Kosova.