Lajmet e fundit

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet "anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë.
Zëdhënësi i gjykatës, Lekë Muqaj ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se paditësja, Komuna e Gjakovës, në këtë gjykatë ka parashtruar padi kundër D.G., me adresë të panjohur, duke kërkuar që të paditurës t’i caktohet përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që të njëjtës nuk i dihet vendbanimi.
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim duke e detyruar paditësen, Komunën e Gjakovës, që në emër të paradhënies për shpenzimet e përfaqësuesit të përkohshëm, brenda afatit prej tri ditëve, të deponojë në arkën e kësaj gjykate, shumën e të hollave në lartësi prej 1.000 euro, nën kërcënimin e pasojave ligjore”, ka deklaruar Muqaj. Ai ka shtuar se pasi komuna të ketë përmbushur detyrimet e saja, gjykata do të zhvillojë procedurën kontestimore mes palëve.
Nga kabinet i kryetarit të Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini, nuk kanë dashur të komentojnë për këtë rast.
Agjencia Kosovare e Pronave e liroi banesën e Dragica Gashiqit në Gjakovë, ku ajo u vendos më 9 qershor, me pretendimin se dëshira e saj për t'u kthyer në Kosovë ishte realizuar. Deri atë ditë, në këtë banesë kishte jetuar një familje shqiptare nga Kosova.
Agjencia Kosovare e Pronave i tha Radios Evropa e Lirë se morën vendimin që t’ia kthejnë banesën Gashiqit, në bazë të dokumentacionit që ishte prezantuar dhe kjo agjenci shtoi se ka kërkuar nga Habitati që ta ndajë banesën e saj.
"Ajo ka një vendim nga ne (Agjencia Kosovare e Pronës) dhe nëse ajo dërgon një kërkesë për dëbim (e uzurpuesve), ne jemi të detyruar të dëbojmë këdo që është i paligjshëm atje", tha kjo agjenci.
Gashiq u bë kështu gruaja e parë serbe që u kthye në Gjakovë pas luftës të vitit 1999.
Dragica Gashiq thotë se është e padëshirueshme në Gjakovë dhe se për çdo ditë ka pasur sulme, prandaj policia e shoqëronte kudo, madje edhe kur shkonte në dyqan.
Për shkak të kësaj, ajo vendosi të zëvendësonte derën e banesës me një të blinduar dhe dëshironte që të vendoste hekura mbi të, por një gjë e tillë nuk iu lejua.
Gashiq kishte planifikuar që të kthehej në Gjakovë, por tani procesi gjyqësor ia ka komplikuar planet.
Ajo pretendon se e ka të gjithë dokumentacionin që vërteton se është pronare e banesës.
Dyshohet se Dragica Gashiq është e padëshirueshme në Gjakovë për shkak se në kohën para luftës ka punuar në policinë serbe. Por, ajo ka theksuar se nuk i ka bërë keq askujt dhe se në polici ka punuar vetëm si pastruese.
Kthimi i saj kishte nxitur reagime brenda kësaj komune.
Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” nga Gjakova kishte deklaruar për REL-in se familjarët e personave të pagjetur nuk e miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.
Në Gjakovë, gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë, shumica e tyre meshkuj. Disa prej tyre edhe më tej janë persona të pagjetur.