Lajmet e fundit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ndodhet në një vizitë zyrtare në Korenë Jugore, ku po zhvillon takime me zyrtarë të institucioneve dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme, e veçanërisht ato të sektorit të energjisë dhe teknologjisë informative.
Vizita realizohet në organizim të Bankës Botërore, e cila është një nga përkrahësit më të mëdhenj të këtyre dy sektorëve në Kosovë.
Në këtë kuadër, Stavileci ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të Ministrisë së Shkencës, TIK dhe Planifikime, Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Energjisë, Agjencinë Koreane të Internetit dhe Sigurisë, Agjencinë Nacionale të Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë Nacionale për Promovimin e Industrisë së TIK, Telekomin Korean dhe kompani të fushës së TIK dhe energjisë.
Një vend të veçantë gjatë takimeve ka zënë sektori i teknologjisë informative, me ç’rast, Stavileci ka ftuar kompanitë koreane, përfshi edhe Telekomin e Korean që të investojnë në vendin tonë në këtë sektor, për të cilin Kosova i ka të gjitha parakushtet për zhvillim të hovshëm.
Kreu i MZHE-së, gjatë takimeve në fjalë ka hasur në gatishmërinë e kompanive koreane që së shpejti të jenë prezente me investime në tregun e Kosovës, ndërsa ka shtuar se MZHE, respektivisht Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e ambientit biznesor, duke parë me prioritet sektorin e TIK dhe energjinë.
Ndryshe, Korea e Jugut është duke përkrahur Kosovën në zhvillimin e sektorit të TIK-ut, përmes Korea Green Groëth Trust Fund në projektin “Rritja Inovative për viset rurale në Kosovë”, që implementohet nga Banka Botërore në Kosovë, transmeton Klan Kosova.