Lajmet e fundit

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se me kushtëzimet që BE-ja ia ka bërë Kosovës, sa i përket iberalizimit të vizave "askush ose pak kush mund të jetë dakord, pos qeveritarëve që i kanë pranuar si të tilla".
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se nuk pajtohet edhe me faktin se "BE-ja me këtë kushtëzim ka shkelur në vlerat e saja të traditës që ajo kishte vendosur për kriteret e liberalizimit të vizave".
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën ka kritikuar edhe udhëheqësit e shtetit për çështjen e heqjes së vizave si dhe Komisionin për matjen e territorit.
Por, nuk mund të pajtohem as kur i pari i vendit tonë drejton akuza publike kundër BE-së, e cila “nuk na paska vizion e lidership”?! Po e zëmë se “BE-ja nuk paska vizion e lidership”, por e gjithë çështja është, kush e ku po e thotë?!
"A ka mundësi që dikush të na tregojë prej nga vrapi i Presidentit dhe i Kryeministrit të Kosovës për t’i falur territor Malit të Zi? Çfarë matje bëri Komisioni i formuar për të vërtetuar punën e Komisionit qeveritar, sipas të cilit territori i Kosovës është rritur edhe përkundër asaj, që më demarkacionin e përfunduar me Maqedoninë, Kosova kishte humbur territor?! A ka mundësi, që edhe përkundër humbjeve të territoreve me demarkacionin me Maqedoninë e Malin e Zi, Kosovës t’i rritet territori?! Sipas këtyre ekspertëve, të udhëhequr nga Akademiku po del që sa më shumë territor që humbë Kosova, kur ta masin këta “ekspertë”, territori i Kosovës rritet?! Sikur territori ynë të ishte prej plastelinës. A do të rritet territori i Kosovës edhe pas demarkacionit që duhet të bëhet me Serbinë?", ka shkruar ai, transmeton Klan Kosova.