Lajmet e fundit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Berisha, ka thënë të premten se është i panevojshëm dhe i papranueshëm krijimi i një komisioni për matjen e territorit të Kosovës.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se në zgjidhjen e problemit të demarkacionit me Malin e Zi nuk do të mund të ketë asnjë lloj kontributi një komision i tillë.
“Mendoj se është i panevojshëm krijimi i këtij komisioni. Përderisa nuk e kemi të definuar kufirin, nuk ka arsye të matet sipërfaqja e Kosovës. Duhet të rinegociohet marrëveshja aktuale, sepse kufiri me Malin Zi duhet të jetë në Kullë dhe në Çakorr”.
“Tek pas caktimit të kufirit komisione të caktuara duhet ta bëjnë matjen e territorit. Prandaj, tash për tash krijimi i një komisioni të tillë është i panevojshëm dhe i papranueshëm”.
Ai ka bërë me dije se AAK-ja nuk do të jetë pjesë e këtij komisioni meqë Aleanca insiston që komisioni shtetëror që ka arritur marrëveshje të dëmshme të shkarkohet dhe marrëveshja e nënshkruar të hidhet poshtë.